
Gabimi para portës në minutën e 91-të të ndeshjes kundër Hueska i ka kushtuar shumë shtrenjtë Rei Manajt, për të cilin me shumë mundësi ajo ka qenë ndeshja e fundit e luajtur me fanellën e Granadas në kategorinë e dytë spanjolle.
Lojtari i huazuar nga Interi cilësohet si dështim në Spanjë dhe në fund të këtij sezoni, do të kthehet mbrapsht te zikaltërit, pa arritur të konfirmojë vlerat e tij, pavarësisht pritshmërisë së madhe.
Manaj humbi në atë ndeshje mundësinë e golit të barazimit për skuadrën e tij duke minimizuar shanset për pjesëmarrjen në play-off të Granadas dhe ajo humbje 2-1 i kushtoi trajnerit të skuadrës, Pedro Morija, shkarkimin nga posti i tij.
Trajneri i ri, Miguel Angel Portugal, ka lënë të kuptohet që në fillim se nuk sheh Manajn si pjesë të planeve të tij për takimet e mbetura. Lojtari shqiptar nuk është grumbulluar për duelin e sotëm kundër Rajo Vajekano, ku vetëm një fitore mban në garë Granadan për ngjitjen në La Liga.
Sinjali është mëse i qartë dhe tashmë Manaj duhet të fillojë të mendojë edhe një herë për të ardhmen e tij, pasi as te Interi nuk ka hapësira për të dhe nuk do të jetë pjesë e organikës nën urdhrat e trajnerit Spaleti. /vipsport.al/