Si futbolldashës që janë, drejtuesit dhe lojtarët e klubeve shqiptare me siguri sot kanë ndjekur takimin mes Napolit dhe Krotones në Serinë A. Urojmë që shumë prej tyre të kenë ndjerë sadopak turp duke parë një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund nga Napoli, i cili fitoi 2-1 dhe dënoi Krotonen me rënien në Serinë B.
Nëse në Shqipëri prej javësh shihet dhe urohet “mungesë motivimi” te skuadrat të cilat kanë arritur objektivat e tyre përballë ekipeve që kanë pse të luftojnë në fundin e këtij sezoni, Napoli dha sot një shembull konkret se si duhet luajtur futbolli i vërtetë. Lojë e fortë nga fillimi në fund, dy gola të shënuar nga Kajehon e Milik që në pjesën e parë dhe një mori rastesh të tjera para portës së Krotones, në një stadium të tejmbushur që me të drejtë mbështeste skuadrën që nuk bëhej palë dhe nuk i interesonte lufta për mbijetesë.
Napoli në fakt e kishte arritur prej kohësh objektivin e tij të vendit të dytë dhe për të do të ishte mëse normale të kishte “mungesë motivimi”, siç ndodh në Shqipëri. Ulërima e trajnerit Sarri pas golit të pësuar në minutën e 90 nga Tuminelo, tregon qartësisht se sa seriozisht e kishte interpretuar ekipi vendas takimin.
Ndaj në fund, për skuadrën e Hysajt kishte vetëm duartrokitje nga publiku në “San Paolo”, ato duartrokitje që kanë munguar në shumë ndeshje të Superiores e që fatkeqësisht, pritet të mungojnë edhe në javën e fundit të saj. Nëse kampionati shqiptar është braktisur nga tifozët, një nga arsyet është edhe kjo… /vipsport.al/