
Dy golat e fundit të shënuar në kampionat nga Albian Ajeti e kanë kthyer sulmuesin shqiptar që përfaqëson Zvicrën në golashënuesin më të mirë në kampionat. Futbollisti 21-vjeçar, vëllai i Arlind Ajetit, ka arritur kuotën e 15 golave, duke kaluar Guijerm Horo të Jang Bojs që ndjek me 14.
Lojtari deklaron se nuk e ka mendjen te objektivat personal, por në një kampionat ku fati i vendeve të para është caktuar, me Jang Bojz kampion e Bazelin në vendin e dytë, skuadra e tij tashmë do të mendojë vetëm si të nxjerrë sa më shumë Ajetin para portës në dy ndeshjet e mbetura.
Kjo, pasi Ajeti synon që të jetë golashënuesi më i mirë i kampionatit për herën e parë në karrierën e tij, për herë të 13 në historinë e Bazelit. Klubi zviceran ën vite ka pasur në radhët e tij 8 golashënues të ndryshëm që kanë mbajtur “kurorën” në fund të sezonit. Në këtë listë ka edhe emra shumë të njohur për publikun shqiptar.
Një prej tyre është Shkëlzen Gashi, i cili me fanellën e Bazelit shënoi 22 gola në sezonin 2014-2015, edhe duke mos luajtur shpesh si titullar. Ndërsa po të kthehesh pas në kohë, gjen se një nga sulmuesit e Bazelit që ka fituar titullin e golashënuesit më të mirë është edhe Otmar Hitzfeld. Ish-trajneri i famshëm i Borusia Dortmund dhe Bajern Mynih triumfoi me 18 gola në sezonin 1972-1973. /vipsport.al./