Kombëtarja shqiptare në volejboll për femra ka fituar sot pasdite 3-0 ndaj Izraelit, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B të Ligës së Europës në volejboll, luajtura në Raanana (Izrael). Ky është triumfi i dytë i kombëtares kuqezi në këtë edicion të Ligës së Europës, i dyti jashtë fushe, aty ku Shqipëria duket se është e papërmbajtshme dhe arrin të triumfojë gjithnjë (Shqipëria ka edhe një humbje me Austrinë në Tiranë si dhe një fitore jashtë fushe në Gjeorgji). Një lojë mjaft e mirë e kombëtares shqiptare, që e dominoi ndeshjen në të trija setet, duke i fituar ato me shumë lehtësi dhe diferenca të mëdha pikësh.
Të trija setet rrodhën mjaft qetë dhe u fituan pa shumë mund nga volejbollistet kuqezi, që e kthyen këtë sfidë në një stërvitore, një ndeshje ku volejbollistët kuqezi bënë autokritikë pas humbjes së tri ditëve më parë në Tiranë. Kombëtarja shkëputej me lehtësi ngqa minuta në minutë, një pamje që u verifikua në të trija setet, falë një loje të mirë në mbrojtje e mjaft agresive në sulm. Izraeli ishte një ekip pa shumë forcë, duke mos përballuar dot ritmin e vajzave shqiptare, që ishin superior në çdo drejtim.
Më 30 maj nisin ndeshjet e kthimit të Ligës së Europës dhe rivalja e radhës e kombëtares kuqezi do të jetë pikërisht Izraeli, ndaj të cilit do të luajmë në Tiranë, në “Feti Borova”. Vendi i dytë aktualisht në Grupin B të Ligës së Europës është një ogur i mirë për të vijuar më tej këtë rrugëtim në takimet e kthimit, dy prej të cilave do t’i luajmë në fushën tonë.
Izrael – Shqipëri 0-3 (18-25, 16-25, 14-25)
IZRAELI: Dudockin, Kopilovitch, Stein, Jaloba, Goffer, Lander, Malik, Zilberman, Matviyenko, Cohen, Marmen, Lahav, Hakas, Ganah. Trajner: Giuseoppe Cuccarini
SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri
Gjyqtarë: Ilaria Vagni (Itali), Tiran Shaino (Izrael)