
Në humbjen e Shqipërisë ndaj Islandës me rezultatin 1-0, të gjithë pasojat për dështimin e kuqezinjve, i mori përsipër Kastriot Dërmaku. Të paktën kjo ishte akuza e Dritan Shakohoxhës, që nuk e mendoi gjatë për t’ia faturuar të gjithë përgjegjësinë mbrojtësit shqiptar.
“Me gjithë respektin, por Dërmaku nuk është për këtë nivel futbolli. Vetëm shiheni sesi e pësuam, ai nuk u gjend në vendin që duhej. Tani është 27-vjeç dhe niveli më i lartë ka qënë në Serinë B. Ka gabuar tërësisht. Nuk është për në qendrën e mbrojtjes, madje edhe vetë trajneri nuk ka pritur ndonjëherë të luajë me të. Por ishin mungesat ato që ndikuan për aktivizimin e tij”, do të shprehej Shakohoxha, ndërsa Islanda fitoi thuajse me një gjuajtje në portë.
Por tashmë është bërë zyrtare se Kastriot Dërmaku ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me Parmën që luan në Seria A. Në një prej kampionateve më të forta të Europës, është ky njoftimi i fundit që na vjen nga mediat italiane. /Shqiperia.ch/