
Florian Kamberi quhet futbollisti shqiptarë që luan me skuadrën e Hibernianit. Ai mund të konsiderohet një lojtar pa Kombëtare të mirëpërcaktuar, pasi nuk ka luajtur ende një ndeshje zyrtare. Në luftë për të marrë një sulmues të këtij klasi, ishin kombëtarja e Zvicrës dhe e Shqipërisë.
Helvetët duket sikur e fituan disi “luftën”, pasi më parë Florian Kamberi ka luajtur me Zvicrën U-21, ndërsa në ekipin e parë të zvicerianëve akoma nuk është grumbulluar. Kjo gjë do të thotë se Shqipëria ka ende shpresë për të marrë në gjirin e saj një sulmues të tillë siç është Floriani.
Gjatë kohës që Redi Jupi drejtonte Kombëtaren U-21, ai do të shprehej: “Luftën me Zvicrën nuk e fitojmë dot sepse të gjithë lojtarët që kanë thirrur ata, kanë shkuar tek zvicerianët, ndërsa ata që nuk janë thirrur nga helvetët, kanë ardhur tek Shqipëria.”
Një mundësi e artë në një mënyre për trajnerin Panucci, për ti bërë ftesë Florian Kamberit e për të provuar shansin e fundit, duke parë dhe gjëndjen emergjente në fazën ofensive të ekipit kuqezi.
Florian Kamberi luan në ligën e parë skoceze, ku në 6 ndeshje, ai ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar një asist. Duket se sulmuesi është në një formë të shkëlqyer këtë fillim sezoni me skuadrën e Hibernianit, ku mund të ishte një zgjedhje e duhur për Shqipërinë. /Shqipëria.ch/