
Edon Zhegrova është zyrtarisht futbollisti më i ri i Bazelit. Futbollisti shqiptar ka lënë Genkun, për t’u bashkangjitur në këtë aventurë të re me ekipin e njohur zviceran. Me Bazelin ky lojtar do të jetë pjesë të paktën për 1 vit e gjysmë, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e blerjes së kartonit.
Në një prononcim për mediat, drejtori sportiv i Bazelit dhe legjenda e kësaj skuadre, Marco Streller është shprehur se e ndiqnin talentin shqiptar prej një kohe të gjatë. Tashmë mbetet të shihet ambientimi i sulmuesit të Kosovës me skuadrën e njohur në Zvicër.
“Ne e kemi vëzhguar Zhegrovën për një kohë të gjatë. Ai është i karakterizuar nga dinamika në lojë. Është në moshë të vogël, por ka një eksperiencë në “Europa League” dhe me përfaqësuesen e Kosovës. Ne jemi të lumtur që do e kemi këtu për 18 muajt e ardhshëm”, u shpreh Streller. /Shqiperia.ch/