
Të gjithë ata që kanë ndjekur futbollin më herët, e dinë më së miri se Ronaldinjo është praktikisht maja e futbollit. Driblimet dhe spektakli që ai ofronte në fushën e lojës, ashtu si edhe golat e tij shpeshherë, ishin të një tjetër kategorie.
Por më e rëndësishmja, pasimet. Mjaftonte që dikush prej shokëve të tij të skuadrës të kërkonte topin dhe të tregonte vendin se ku e dëshironte atë, sfera do të kishte mbërritur me shpejtësinë e dritës. Një krahasim që mund të duket i ekzagjeruar, por që qëndron te Zeneli.
Nëse ky lojtar nuk arrin të shënojë për skuadrën e Herenvenit, atëherë kjo ka ndodhur sepse Zeneli me patjetër që ka pasuar për një nga shokët e skuadrës. Ashtu si edhe në ditën e sotme, teksa pas një pasimi të Zenelit, do të vinte goli i Herenvenit ndaj Den Hagës.
Nëse shihni golat e fundit tek ekipi holandez, shumë prej tyre kanë parë si protagonist Zenelin. Megjithëse ky i fundit tashmë është pjesë e një tjetër përfaqësuese shqiptare, asaj të Kosovës, një lojtar i tillë mund t’i bënte tmerrësisht shumë punë Panuçit, për ta pasur në skuadrën e tij. /Shqipëria.ch/