You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Vrasësi grek ia hodhi paq, mjeku i spitalit nuk i hapi derën tifozit shqiptar. Gramoz Palushi ra për flamur!

Vrasësi grek ia hodhi paq, mjeku i spitalit nuk i hapi derën tifozit shqiptar. Gramoz Palushi ra për flamur!

Nuk ka nevojë të ndalim më gjatë për të përshkruar dhe shpjeguar deri në detaje emocionet e një nate të paharueshme, mjafton vetëm të përmendim datën e saj dhe çdo gjë tjetër është e tepërt…4 shtator, 2004!

As më pak e as më shumë, por kampionia e Europës do të binte në Tiranë, për t’u mposhtur nga 11 lojtarë të deklaruar në fushë, por edhe nga 15.800 njerëz në shkallët e stadiumit, që kurrsesi nuk mund të quheshin tifozë. Sepse tifozët janë ata që qëndrojnë dhe shijojnë spektaklin që ofrohet për ta, por njerëzit që ishin të pranishëm në “Qemal Stafa” asokohe, dukej sikur kishin pushtuar fushën dhe nuk lejonin lojën të zhvillohej normalisht.

Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, Greqia mund të ishte një hirushe e bukur kudo tjetër, por jo në Shqipërinë e atëhershme. Falë golave të Muratit dhe Aliajt, kuqezinjtë do të fitonin një sfidë me vlerën e një Europiani ose Botërori për ta. Festimet zgjatën deri në orët e para të mëngjesit dhe i kaluan kufijtë.

Të shumtë ishin ata që guxuan duke festuar edhe në Greqi, me flamur shqiptar, teksa atje fatkeqësisht do të shënohej edhe një viktimë. Ai quhej Gramoz Palushi dhe ra për flamur. Një vrasës grek do i merrte jetën Palushit me thikë në Zakinthos, sepse festonte fitoren e Shqipërisë.

“Po festonim fitoren e Shqipërisë. Një turmë grekësh sulmuan nga një magazinë dhe u plagosën shtatë shqiptarë, mes të cilëve edhe Gramozi. Gramoz Palushi ka pasur vështirësi pas plagosjes. Ai ka shkuar në spital, por pasi e kanë kuptuar se ishte shqiptar, personeli i spitalit nuk ia ka hapur derën”, do të shprehej Imer Elezi, mik i Gramozit. Vrasësi ishte Panajotis Kladhis, greko-amerikani fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas do t’i ulej dënimi me 22 vite burg. Askush nuk e harron, Gramoz Palushi është njëri prej nesh dhe ra për flamur! /Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top