
SPAL-i ka humbur në shtëpi me rezultatin 2-3 ndaj Atalantës, por më i miri i takimit për vendasit ishte Etrit Berisha. Për dikë që nuk e ka parë ndeshjen, tre gola mund të jenë tregues i mjaftueshëm për të menduar një paraqitje të dobët të portierit shqiptar.
Por deri në minutën e 70, ishte heroi i ndeshjes duke e shpëtuar portën nga mbi 3 gola të sigurtë. I vetmi që ia doli të thyente SPAL-in, ishte Luis Muriel. Me dy gjuajtje fantastike nga distanca, do të kthehej edhe historia e ndeshjes.
Pikërisht i vetmi futbollist që Berisha nuk njihte, pasi është blerje e re e Atalantës. Pavarësisht faktit se pësoi tre gola, për “Calciomercato” portieri shqiptar merr notën 7.5 dhe kjo ndodh rrallëherë:
“Duket mirë kundër ish-ekipit të tij. Në minutën e 24 kryen mrekullinë ndaj Papu Gomezin, që e njeh aq mirë. Demonstron reflekset e shpejta edhe para golit të Gosens, por nuk mund të bëjë asgjë më tepër. Ia njeh të gjitha këndët skuadrës së mëparshme, duke ndaluar Freuler në fundin e pjesës së parë. E pamundur ndaj Muriel që është një nga sulmuesit më në formë”. /Shqiperia.ch/