Kampionët e Shqipërisë nuk kanë zhgënjyer në turin e parë të Champions League, duke i përmbushur të gjitha pritshmëritë. Pavarësisht se Dinamo Tbilisi konsiderohej si favorit në këtë përballje, Tirana ka arritur ta mund në shifrat 0-2 në transfertë.
Një lojë e zgjuar dhe cinike, ashtu siç në fakt Egbo ka bërë edhe në Superiore, teksa bardheblutë nuk hidhen kurrë në aventurë dhe presin momentin e tyre. Kjo është filozofia e trajnerit të Tiranës që nuk ka zhgënjyer as në Europë.
Pas disa momenteve të mira të ekipit gjeorgjian, Torasa përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Tbilisit në minutën e fundit duke kaluar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë bardheblutë kanë treguar edhe njëherë vëmendje të madhe në mbrojtje, duke mos gabuar thuajse për asnjë minutë të vetme. Në rastet sulmuese nuk mund të gabohet dhe pas një gjuajtje të bukur nga Muçi dhe pasigurie të portierit kundërshtar, ishte Ismajgeci që i dha qetësinë e kualifikimit. Kështu Tirana krenon Superioren dhe shkon në turin e dytë të “Champions League” atje ku e pret Crevena Zvezda. /Sport Ekspres/