
A mund të ndodh ndonjëherë që teksa kërkojmë për më të mirën, kjo e fundit të ndodhet shumë afër nesh e ne nuk e shohim? Sigurisht që po, Malaga është dëshmia. Kjo skuadër mbetet pretendentja kryesore për t’u ngjitur në elitën e futbollit spanjoll, megjithëse është surprizuar në minutën e fundit ndaj Almerias. Sa shumë ishte duke kërkuar në merkato për një mesfushor, ndërsa e kishte të një kalibri të lartë tek të rinjtë.
Rezultati do të ishte 1-1 në fundin e takimit, ndërsa vendimtar në golin e vetëm të shënuar do të ishte Keidi Bare. Ky i fundit dhuroi një pasim fantastik, duke ia bërë më të lehtë sulmuesit Adrian shënimin e golit.
Por nuk mbaron këtu, Bare ishte një siguri e madhe në mesfushë. Futbollisti i Shpresave të Shqipërisë gaboi në një rast i vetëm përballë portierit, por komentet e tifozëve janë për një vlerësim të lartë rreth shqiptarit. “Ngolo Kante” e cilësojnë disa prej tyre, madje më shumë të drejtë. Ky lojtar shihej në çdo çep të fushës ndaj Almerias, duke mbrojtur e duke sulmuar, me energji të pashterueshme. Për Malagan ndoshta festa nuk është e plotë pas këtij barazimi, por Bare ka shkëlqyer me një tjetër 90 minutësh në fushën e lojës. /Shqiperia.ch/