
Ditën e sotme, skuadra e Zyrihut mori një barazim tepër zhgënjyes në shtëpinë e saj përballë ekipit të Luganos. Kujtojmë që pjesë e Zyrhiut është edhe lojtari shqiptar i përfaqësueses së Kosovës, Benjamin Kololli.
Lojtari 26 vjeçar, në këtë përballje, nuk mundi dot të bënte një paraqitje të mirë, siç jemi mësuar ta shohim zakonisht. Kololli u zëvendësua nga trajneri i tij në minutën e 65, ku duket se nuk e ka pritur aq mirë këtë zëvendësim. Menjëherë pas daljes së tij nga fusha, ai iu drejtua pankinës tepër i nervozuar. Benjamini nuk ka mundur t’i mbajë dot nervat, ku siç shihet edhe në video, ka goditur disa herë me grusht pankinën e tij, madje edhe duke e thyer atë. Ajo çka u vu re më pas, është se Kololli, pas uljes në stol, ka shërthyer në lot. Duket se këtë zëvendësim, lojtari i përfaqësueses së Kosovës e ka përjetuar keq, madje dhe duke dalë nga vetja e tij.
Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që Kololli bën xhiron e rrjeteve sociale, pasi më parë, ka rënë në kanalin e rrethimit të stadiumit, teksa ishte duke festuar golin në “Europa League”. Tashmë gjërat në kampin e Zyrihut duket se nuk janë mirë, pasi me barazimin e marrë ditën e sotme, rrezikon ndjeshëm vendin e 4, pasi barazohet me pikë nga ekipi i Luzernit, me plot 25 të tilla. /Shqiperia.ch/