
Debutim më të mirë se ky i sotmi, Migjen Basha nuk mund të imagjinonte. Në Itali vuhet për mbështetjen e tifozëve, por tifozët e Arisit në Greqi dhe ai stadium i tejmbushur, të jepte përshtypjen se flitej për një ndeshje të zhvilluar në “Camp Nou”.
Ndryshimi i ambientit i ka lënë një shije të mirë mesfushorit të Kombëtares, ndërsa përpos kësaj mbështetje të madhe, Arisi ka festuar edhe 3 pikët në fundin e ndeshjes, pasi ka mposhtur me rezultatin 2-0 ndaj Levadikos.
Bukurinë e këtij takimi, e ka prishur disi një problem me stadiumin. Në minutat e fundit të pjesës së parë, ka pasur një problem me ndriçimin rreth 7 minuta, që kanë ndikuar edhe në zhvillimin normal të lojës. Probleme shqiptare këto që e ndjekin Bashën edhe në aventurën e re në Greqi, megjithëse bëhej fjalë për një situatë të anashkaluar. Mërgim Mavraj nuk ka debutuar këtë javë për shkak të dokumentacionit dhe do të jetë gati për takimin e ardhshëm. /Shqipëria.ch/