
Armando Sadiku është një nga lojtarët që i ka munguar ndjeshëm Kombëtares tonë. Tashmë ka hedhur pas dëmtimin, ku i është rikthyer fushave të blerta dhe çdokush pret me padurim rikthimin e formës së tij fizike më të mirë. Për këtë gjë ka menduar edhe ekipi i tij, Levante, teksa e kanë transferuar sulmuesin tek skuadra e Luganos.
Pikërisht tek klubi zviceran, ai u bë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Me Luganon, Sadiku ka mundur që të shënojë edhe 9 gola tepër të rëndësishëm për këtë klub. Këto finalizime, Lugano ia kujton futbollistit shqiptar brenda 30 sekondave, ku ditën e sotme ka postuar edhe një video për të rifreskuar realizimet.
Tani bomberi kuqezi ka një sfidë tjetër, që brenda 6 muajve që do të jetë tek skuadra zvicerane, të arrijë të rifitojë formën e tij më të mirë dhe të jetë gati për Kombëtaren në periudhën e marsit, atëherë kur fillon edhe faza e kualifikueseve të Europianit 2020. /Shqiperia.ch/