
Hysen Memolla është një nga lojtarët që kohë më parë u përfol se do të ishte zëvendësuesi i Agollit në kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi i krahut të majtë tashmë mund të etiketohet edhe si zhgënjim përsa i përket situatës së tij tek skuadra e Hajdukut të Splitit.
Ai u transferua me shumë bujë tek kroatët, por mesa duket nuk e ka patur të gjatë kohën me Hajdukun e Splitit. Këtë sezon, Memolla ka luajtur vetëm dy ndeshje dhe më pas emri i tij filloi duke u “shuar”. Tashmë mediat kroate thuajse e kanë bërë zyrtare transferimin e tij tek Salernitana në Serinë B. Gjithashtu ato theksojnë se nga kjo lëvizje, lojtari ka arritur të kalojë edhe testet mjekësore.
Mediat kroate tregohen disi ironizuese me shqiptarin, pasi gjatë muajve që ishte pjesë e Hajdukut, arritjen më të madhe të tij e konsiderojnë vetëm një foto me sulmuesin anglez Ronney dhe asgjë më shumë. Tashmë mbrojtësi 27-vjeçar është rikthyer sërisht në kampionatin italian, por këtë herë me skuadrën e Salernitanës, e cila është pjesë e Seria B.
Duket se mbrojtësi shqiptar dëshiron të rigjejë sërish formën e tij më të mirë fizike, pasi në Itali ka patur eksperiencë edhe më parë. Kjo gjë duket se do ta ndihmojë Memollën të harrojë këto muaj negativ në karrierën e tij tek Hajduku i Splitit. Mbetet çdo gjë për tu parë nëse mbrojtësi kuqezi, do të rikthehet sërisht në majat e formës fizike të tij me skuadrën e re të Saleritanës. /Shqiperia.ch/