Festimi me shqiponjë nga ana e Xhakës dhe Shaqirit në golat e realizuar ndaj Serbisë, solli një reagim të madh në Zvicër, ku të shumta ishin kritikat për futbollistët me origjinë shqiptare.
Pavarësisht se koha kalon dhe supozohej që gjithë ato kritika të kishin rënë disi, shpeshherë janë disa legjenda të zviceranëve që rikthejnë kohët e shkuara. Në një intervistë për “Blick”, ish-futbollisti i njohur, Stephane Henchoz është shprehur se Xhakës duhet t’i hiqet shiriti i kapitenit, pasi nuk e këndon himnin.
“Stephan Lichtsteiner me gjasë nuk do të jetë në formacionin e parë, por kush duhet të bartë shiritin e kapitenit. Yann Sommer ose Granit Xhaka, por unë preferoj Sommer. Xhaka luan rregullisht në Arsenal, por kapiten i Zvicrës duhet të jetë zviceran. Jam kundër që Xhaka të bëhet kapiten. Xhaka nuk e përfaqëson as Zvicrën dhe as zviceranët. Ai nuk këndonte as himnin e Kombëtares. Do ta godisja shuplakë, kur nuk e këndon himnin kombëtar”, thotë ish-futbollisti i Liverpoolit. /Shqipëria.ch/