You are here
Home > Futbolli Shqiptar > U largua nga Zvicra, Hadërgjonaj flet si lojtar i Kosovës: I lehtësuar, të gjithë flasin shqip

U largua nga Zvicra, Hadërgjonaj flet si lojtar i Kosovës: I lehtësuar, të gjithë flasin shqip

Florent Hadërgjonaj është futbollisti më i ri i Kosovës, që ka rritur entuziazmin edhe më tepër te krahu i dardanësve. Kjo pasi lojtari në fjalë ka luajtur më parë me grupmoshat e Zvicrës, duke u konsideruar me kualitete të mëdha, për të ndihmuar grupin e trajnerit Shaland.

Gjatë paradites, Hadërgjonaj ka vizituar edhe Federatën e Kosovës të Futbollit, ku ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për përjetimin e parë. Mbrojtësi që ka luajtur me Adërsfilldin në sezonin e shkuar, u shpreh i lehtësuar se mund të flas lirisht gjuhën shqipe te Kosova.

“I kam shikuar pothuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës si në kualifikime ashtu edhe në Ligën e Kombeve nëpërmjet TV-së në Angli dhe kam qenë i mahnitur me atë çfarë ka treguar ekipi. Loja e Kombëtares por edhe mbështetja që i kanë dhënë tifozët ka qenë diçka shumë e veçantë. Çunat e bënin lojën shumë të mirë. Ka lojtarë shumë të talentuar dhe tani jam edhe unë pjesë e grupit dhe qëllimi im është ta ndihmoj ekipin të ecë përpara. Kryesorja është që hap pas hapi të bëhemi edhe më të fortë. E di që ka ende punë sepse jemi lojtarë të rinj dhe kemi ende gjëra për të mësuar, por besoj se mund të arrijmë diçka shumë të madhe.

Gjithkund ekziston konkurrenca, si në klub ashtu edhe në ekipin kombëtar. Ekipi nuk i ka vetëm 11 lojtarë, por konkurrenca duhet shikuar në aspektin pozitiv sepse mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Pastaj është trajneri që vendos për lojtarët që do të luajnë. Neve si futbollistë na mbetet që të japim maksimumin në stërvitje në mënyrë që ta shoh trajneri se je i gatshëm dhe i rëndësishëm për kombëtaren.

Gjithmonë e kam vizituar Kosovën sepse është vendlindja e prindërve të mi dhe ende i kam disa familjarë këtu. Për mua Kosova gjithmonë ka qenë e rëndësishme. Prindërit shpesh na sillnin këtu në mënyrë që mos ta harrojmë gjuhën, sepse kur jeton në Zvicër dhe shkollohesh atje nuk është aq lehtë të mos e harrosh gjuhën. Për mua Kosova është gjithçka. Këtu ndihem më i lirë dhe më i lehtësuar sepse të gjithë flasin shqip. Edhe në ekipin kombëtar do t’i kem të gjithë bashkëlojtarët që flasin shqip. Kur nuk ke nevojë të flasësh në gjuhë tjetër kjo pa dyshim të ndihmon dhe është shumë motivuese. Fanella e Kosovës për mua është diçka shumë e veçantë, prandaj me padurim pres ta luaj ndeshjen e parë, e cila do të jetë shumë emocionuese si për mua ashtu edhe për familjen time”, ka thënë Hadërgjonaj për faqen zyrtare të “FFK”. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top