
Pasi De Biazi bëri listën e tij përfundimtare me lojtarët që do të merrte përfundimisht në Francë, Shala, Rrahmani dhe Rashica vendosën të largoheshin menjëherë nga Kombëtarja.
Vetëm Berat Gjimshiti do të qëndronte besnik deri në fund me fanellën kuqezi. Por megjithëse ishin katër lojtarët e përjashtuar nga ana e teknikut italian, një çështje e vërtetë do të kthehej ajo e Rashicës.
Asnjë nuk kishte dyshim në aftësitë e këtij futbollisti, por De Biazi nuk e pa të arsyeshme për të marrë këtë lojtar me vete. Rashica nuk e mendoi dy herë dhe kaloi menjëherë te Kosova. Megjithatë që nga ajo kohë kur 22-vjeçari kaloi në përfaqësuesen e Kosovës, ai ndodhet në “thatësirë”.
Në 13 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, futbollisti i Verderit nuk ka arritur të shënojë ende golin e parë me Kosovën. Pas “kryeveprës” së realizuar në kampionat ndaj Frankfurtit, tashmë Rashica do të kërkoj të ndryshojë historinë ndaj Azerbajxhanit. /Shqipëria.ch/