
Kohët e fundit, Berat Gjimshiti po tregon një formë mjaft të mirë me skuadrën e Atalantës. Lojtari kuqezi javë pas javë konsolidohet gjithnjë e më shumë në qendër të mbrojtjes, teksa jo më larg sesa ditën e djeshme ai u shpall edhe një ndër lojtarët më të mirë të bergamasëve në ndeshjen e kupës, përballë Juventusit.
Gjatë merkatos dimërore për Gjimshitin ka patur shumë interes nga skuadra të ndryshme, të cilat dëshironin të merrnin shërbimet e lojtarit të Kombëtares tonë. Ditën e sotme, menaxheri i tij, Milosh Melenoviç, ka dhënë një intervistë në lidhje me lojtarin, teksa shprehet se ka dëgjuar shumë zëra dhe konkretisht që skuadra si Shalke 04 apo dhe Inter ishin të interesuara për të marrë shqiptarin.
Ai shton se një gjë të tillë nuk do ta kalonte lehtë pa e negociuar për klientin e tij dhe madje thekson se po të ishte në vendin e tyre, do të shpenzonte plot 10 milion euro për të patur Gjimshitin në skuadrën e tij. “Kam dëgjuar zëra se Interi dhe Shalke ishin të interesuara për Gjimshitin, megjithëse nuk di burimin e tyre. Duke parë nivelin e tij te Atalanta, unë do të shpenzoja 10 milionë euro”, u shpreh menaxheri i lojtarit.
Kujtojmë që pak kohë më parë, për mbrojtësin shqiptar 25-vjeçar ishte e interesuar edhe skuadra e Beshiktashit, por turqit nuk kishin ndërmend të paguanin më shumë se 1 milion euro për shërbimet e Beratit. Mesa duket, për futbollistin e Kombëtares, tashmë po flitet me shifra shumë herë se 1 milion dhe Beshiktashi mund ta ketë vetëm një ëndërr Gjimshitin. /Shqiperia.ch/