
Që prej vitit 2015, kur u thirr nga De Biazi, Alban Hoxha mban për katër vite dorezat e Kombëtares. Gjithmonë i gatshëm sa herë që është kërkuar në shërbim të ngjyrave kuq e zi, portier kryeqytetas nuk e ka menduar dy herë. Përfaqësimi i Kombëtares lakmohet nga çdokush.
Të gjithë duan të luajnë, por Hoxha ka qendruar përherë në stol, në pritje të minutave të tij. Ndeshjet që ka luajtur me Shqipërinë numërohen me gishtat e njerës dorë. Kombëtarja ka pasur gjithmonë dy portier që luftonin për vendin titullar, ndërsa Hoxha ka qenë ai që e shihte këtë duel dhe ulte kokën. Në ato pak minuta të luajtura ka treguar se meriton të jetë aty, ndoshta-ndoshta, ka merituar edhe një vëmendje më të kujdesshme.
Megjithatë Hoxha ka zgjedhur të jetë “plumbi I fundit”. Ai i cili i nevojitet çdokujt. Ai që i është nevojitur Kombëtares. Hoxha nuk ka luftë me veten për minuta, as me talentin Strakosha. Duket se kapiteni i Partizanit ka një zotim në vete; t’i shërbej flamurit…edhe nga stoli. Shembuj të tillë sacrifice e gjenë rrallë, ndërsa më konkretin e kemi përpara. Në sytë e Alban Hoxhës./Shqipëria.ch/