
Karriera nuk i ka dhënë Ergys Kaçes atë që mesfushori shqiptar ka merituar dhe kjo është mëse e kuptueshme, pasi nuk është e lehtë të luash në Greqi. Gjithë gjeneza e problemit të këtij lojtari nisi kur zgjodhi Shqipërinë, atëherë kur në vendin fqinj filuan me “hakmarrjet” e zakonshme, pasi e kërkonin në Kombëtaren e tyre.
Kulmimi ishte padyshim pozimi i Kaçes me “UÇK-në”, për të nisur rrugëtimin e disa huazimeve rradhazi nga PAOK-u. Së fundmi mesfushori i Kombëtares zhvilloi një sezon fantastik te Panathinaikosi, për t’u ringritur në nivelet më të larta.
Gjithsesi këta të fundit nuk i kishin kushtet financiare për ta blerë përfundimisht kartonin e tij. Rikthimi erdhi te PAOK-u, skuadër që do të luajë në “Champions League”, ndërsa fitoi kampionatin dhe Kupën në sezonin e shkuar.
Të gjitha mediat greke ishin të bindura se Kaçe nuk do ta zhvillonte një stërvitje të vetme me PAOK-un, për t’u larguar në një tjetër skuadër, pasi nuk ishin në planet e klubit aktual. Por situata ka ndryshuar në 360 gradë me ardhjen e trajnerit të ri portugez te PAOK, Abel Ferrera.
Prania e Kaçes ishte një surprizë e madhe në listën e futbollistëve që po bëjnë përgatitjet për sezonin e ardhshëm, madje duke lënë edhe një përshtypje të mirë. Lojtari i Shqipërisë ka një shans të madh që të jetë pjesë e PAOK, nëse do të arrijë të bind trajnerin gjatë këtyre përgatitjeve, me shansin e marrë së fundmi. Ndërkohë edhe Panathinaikosi ka trokitur në derën e skuadrës së Kaçes, për të tentuar sërish marrjen e këtij lojtari, por për momentin futbollisti kuqezi do të shihet te PAOK. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/