
Izraeli do të ndeshet në ditën e nesërme ndaj Shqipërisë, në një sfidë ku të dyja Kombëtaret janë të dënuara për ta fituar takimin.
Llogaritë janë të thjeshta, ai që humbet këtë sfidë, me shumë mundësi del nga gara e kryesimit të grupit. Këtë e di më së miri edhe trajneri i Izraelit, Herzog, që kërkon të marrë maksimumin edhe ndaj kuqezinjve.
Që ky objektiv nuk do të jetë i lehtë, nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Përpara vetëm pak kohësh, Izraeli mundej në Shqipëri me rezultatin 0-1. Megjithatë, pas fitores ndaj Skocisë, optimizmi në kampin kundërshtar është rritur ndjeshëm.
“Atëherë, ne kemi një fitore dhe kjo nuk është asgjë. Ne jemi vërtet të lumtur dhe unë i kam thënë lojtarëve se mund t’ia dalim sërish. Megjithatë, pres akoma më shumë nga ta. Tashmë është koha që t’i tregojmë Shqipërisë, se ndaj nesh do të jetë edhe më e vështirë në shtëpinë tonë.
Kjo është një ndeshje shtëpie dhe diferencat ekzistojnë nga ai takim i parë. Lojtarët tanë janë më në formë dhe unë kam më shumë kohë që e njoh skuadrën, nga ai moment i parë.
Më pëlqeu se Skocia edhe pasi shënoi golin e parë, qëndronte përpara në sulm. Ndërsa Shqipëria kur na shënoi në “Elbasan Arena”, u kthye prapa e gjitha. Prandaj nuk e kishim të lehtë që t’i shënonim në transfertë”, u shpreh Herzog. /Shqiperia.ch/