
Tashmë është zyrtare që Kosova këtë vit kalendarik do të ngrejë siparin me ndeshjen miqësore përball Danimarkës. Kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa pritet të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë edhe emrat e lojtarëve danez.
Nga krahu tjetër, ditën e sotme për “Indeksionline”, në lidhje me këtë sfidë, ka folur edhe numri një i pankinës së Danimarkës, Age Hareide. Duket se kjo miqësore për të do të jetë një sfidë sforcoje për kombëtaren që ai drejton, ku shprehu edhe disa detaje të veçanta për dardanasit. Hareide theksoi faktin se nuk e njeh lojën e Kosovës, por ka informacion për disa lojtarë që janë pjesë e saj. Më konkretisht ai u shpreh kohë më përpara kishte qënë edhe trajneri i sulmuesit Valon Berisha dhe i vëllait të tij.
“Tek Kosova njoh vetëm disa lojtarë. Kohë më parë kam qenë trajner i Valon Berishës dhe vëllait të tij, kur ata ishin vetëm 18 vjeç dhe luanin tek skuadra e Vikingut. Ka dhe disa lojtarë të tjerë që kanë lindur në Danimarkë dhe janë pjesë e Kosovës si Shala dhe Rashani, por nuk njoh mënyrën e lojës së grupit të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe mendoj se kam kohë për t’i studiuar ata si ekip duke parë videot e ndeshjeve të tyre të shkuara.
Nuk më ka befasuar fakti që ata fituan grupin në Nations League sepse Kosova dhe në përgjithësi Ballkani ka futbollistë të mirë. Futbolli në Ish Jugosllavi ka rrënjë të thella dhe të gjitha shtetet nga ai territor dinë të luajnë futboll. Prandaj nuk më ka befasuar aspak Kosova që ka fituar grupin”, u shpreh trajneri i Danimarkës.
Kujtojmë që kjo miqësore do të zhvillohet në datë 21 mars, ku vlen të theksojmë se si në ndeshjet zyrtare ashtu edhe në miqësore, dardanasit nuk njohin humbje që prej vitit 2017. /Shqiperia.ch/