
Megjithëse nuk kishte asnjë arsye se përse të vendoste ndryshe, por trajneri i Beshiktashit ka vendosur të lejojë në fuqi golin e Cikalleshit. Ekipi i Gunes ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Akhisarit, ndërsa trajneri turk ka pasur në dorë mundësinë për të dërguar rezultatin 3-0.
Mjaftonte një ankesë e Beshiktashit, që Federata e Futbollit në Turqi të zgjidhte gjithçka brenda pak minutash. Kjo pasi Akhisari kishte shkelur rregullat me të dyja këmbët, duke marrë 13 lojtarë të huaj në 21 futbollistët e grumbulluar për takimin, nga 12 që është e lejueshme.
Kjo bie ndesh me rregullat e kampionatit, ndërsa te skuadra e Cikalleshit këtë e kuptuan shumë vonë. Drejtuesit e klubit vendosën të largonin portierin që gjendej në stol, për ta dërguar në tribunë, gjatë kohës që po zhvillohej ndeshja. Gjithsesi, në atë moment gjithçka kishte përfunduar. Trajneri i Beshiktashit, Gunes është shprehur: “Ne e dinim që Akhisari e kishte shkelur rregullin, por vendimin e morrëm që në fillimin e takimit. Donim të respektonim lojën dhe nuk i thamë asgjë lojtarëve tanë”, u shpreh Gunes, duke nënkuptuar faktin se nuk do të kishte asnjë ankesë për atë që ndodhi nga Akhisari. /Shqiperia.ch/