
Vetë historia e dhimbshme që kanë trevat shqiptare dhe gjithë vështirësitë e përjetuara ndër vite, kanë bërë që shqiptarët të shpërndahen kudo në botë. Në vendet respektive ata kanë krijuar një jetë të re dhe realitet të tillë, në disa raste edhe duke harruar origjinën e tyre, pasi në këtë mënyrë u kthehen kujtimet që as duan t’i sjellin ndërmend.
Por sigurisht, ka edhe nga ato raste kur familjet e sportistëve dhe lojtarëve, nisur nga gjithçka kanë përjetuar, kërkojnë që djemtë e tyre të zgjedhin vendlindjen. Përsa kohë do të ketë futboll, për aq kohë do të vazhdojnë edhe këto zhvillimet rreth shqiptarëve dhe zgjedhjeve të larmishme që ata kanë për të përfaqësuar Kombëtare të ndryshme.
Së fundmi ishte Shaland që në një intervistë për mediat zvicerane, vuri theksin në dy lojtarët e shumpërfolur, Florent Hadërgjonaj dhe Bastien Toma. Ky i fundit nuk e ka bërë ende zgjedhjen e tij, ndërsa Hadërgjonaj që nuk po gjente hapësira te Zvicra, është thuajse histori e mbyllur për Kosovën.
Por edhe shigjetimet dhe etiketimet rreth Bastien Tomës si “tradhëtar”, pasi mediat shqiptare e quajnë të zyrtarizuar te Kosova, nuk kanë munguar. Kjo për shkak se gjasat ekzistojnë që talenti i Sionit t’i bashkohet Zvicrës. Gjithsesi, edhe nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë vetëm për “tradhëti” që nuk flitet në këtë rast. Kjo pasi vetë trajneri Shaland, numri një i Kosovës, u shpreh se nëse do të ishte vetë lojtar në këtë situatë, do të kishte zgjedhur Zvicrën. Atëherë, çfarë mund të pritet?
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm, por nuk po bëjmë presion ndaj askujt, nuk do të ngacmojmë agjentë, prindër apo lojtarë. Ne vetëm duam t’i tregojmë atyre se do të ishim shumë të lumtur t’i mirëpresim ata në ekipin kombëtar. Pas kësaj, unë jam i vetëdijshëm dhe është krejtësisht logjike që ata të mund të zgjedhin Zvicrën. Nëse do të isha një lojtar sot, do ta bëja vetë atë zgjedhje … Është një realitet. Federata ime dhe unë jemi në të njëjtën gjatësi vale, ne jemi shumë të qartë në opsionet tona.
Ne vetëm duam që lojtarët të dinë se ekipi ynë kombëtar është në ndërtim e sipër, po përpiqemi të bëjmë ekipin më të mirë të mundshëm dhe ne do t’i mirëpresim disa lojtarë me dëshirë … Ky është rasti i Toma, është rasti i Hadergjonajt është rasti e lojtarëve të tjerë në Gjermani, Austri dhe vende të tjera”, tha Shaland për “Lematin.ch”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/