
Lacio ka arritur në transfertë ndaj Parmës, duke triumfuar me rezultatin 0-2. Takimi nuk ishte edhe aq i lehtë sa dukej në pamje të parë, teksa ishte i nevojshëm protagonizmi i Valon Berishës, që të ndryshonin shifrat e takimit.
Mesfushori shqiptar do të fitonte me shumë zotësi një penallti në zonën kundërshtare, duke ndryshuar edhe rezultatin. Një tjetër gol do të vinte nga lacialët, por në sekondën e fundit, atëherë kur gjithçka kishte përfunduar.
Në një intervistë për “Sky Sport Italia”, Ciro Imobile tregoi se diferencën ndaj Parmës, e ka bërë Valon Berisha.
“Zëvendësimet e kanë bërë diferencën dhe ngritën nivelin e lojës. Me rëndësi është fitorja e ekipit, aspak golashënuesit. Berisha vinte nga një dëmtim i rëndë, vjen edhe bën diferencën duke fituar penalltinë”, tha sulmuesi i Lacios.
Ndërkohë, tifozët e Lacios nëpërmjet “Twitterit”, e kanë përgëzuar performancën e Berishës në takimin ndaj Parmës, duke e konsideruar si një qen në mesfushë, sigurisht, në kuptimin e mirë të fjalës. /Shqiperia.ch/