You are here
Home > Kombëtarja > “Të shëmtuar dhe ndotur nga koka te këmbët”! Uzuni të ketë kujdes, në Shqipëri nuk ka mëshirë

“Të shëmtuar dhe ndotur nga koka te këmbët”! Uzuni të ketë kujdes, në Shqipëri nuk ka mëshirë

“Në Shqipëri të duan vetëm kur je mirë”. Kjo është e vetmja gjë e sigurtë në këtë vend, Abazaj duhet të flasë më mirë për këtë temë nga ajo që ka kaluar dhe po përjeton në Belgjikë.

E ngritën në “qiellin e shtatë” kur ky njeri realizonte çmendurira në Superligë, ndërsa tashmë që nuk po aktivizohet me Anderlehtin, ka një garë nga ana e mediave, se kush më përpara do të tallet me gjendjen e Kristalit.

“Madhështor”, “i paparashikueshëm”, “nga një planet tjetër”, këto ishin përshkrimet e mëparshme që gjendeshin lehtësisht në artikujt e dedikuara për Abazajn, ndërsa tashmë flitet se nuk e llogarisin as te rezervat apo duke e konsideruar akoma më keq, si një lojtar skarco.

Vetëm dy muaj kanë kaluar, por në Shqipëri ta bëjnë situatën në atë mënyrë, aqsa të duket sikur të kenë kaluar dy vite e më tepër. Abazaj është po ai, që na ka mrekulluar në kampionatin shqiptar, por dikush tjetër ka ndryshuar në të gjithë këtë, ndoshta edhe interesat.

Le ta lëmë këtë rast dhe ti rikthehemi një tjetri, si Myrto Uzuni që po vazhdon të ngjisë shkallë në mënyrë të frikshme. Një talent i vërtet, askush nuk duhej të kishte dyshime për të. Në Shqipëri e ka treguar aq shumë herë sa ndoshta edhe mund të jetë lodhur, se bëhet fjalë për një lojtar që nuk e ka një të dytë.

Një kalim në Lokomotivën e Zagrebit, por askush nuk shkruante për të. Ky njeri nuk përbente interes edhe përse ishte kthyer në një titullar të padiskutueshëm me vetëm 1 muaj kohë në Kroaci. Ky njeri nuk përbënte interes edhe përse e kishte treguar shumë herë sesa i vlente “lëkura”.

Të pakëta ishin mediat që shkruanin për performancat e talentit shqiptar, më shumë vëmendje merrte një tjetër sulmues shqiptar, Lirim Kastrati. Megjithëse motorri i Lokomotivës ishte Uzuni, për të marrë përpara gjithë kundërshtarët dhe për t’ia lënë gjithçka gati futbollistëve të tjerë, asnjë fjalë e vetme e shkruar për të.

Ndoshta edhe me të drejtë, sepse në “Flashscore” nuk mund jepet asgjë tjetër përveçse autorët e golave të shënuar. Mjafton një gol i shënuar në kampionatin kroat dhe tashmë të gjithë të rrëmbyer pas një talenti të ri, Myrto Uzuni.

Të gjithë në “luftë”, për të shkuar pas një ylli të ri. Por flasim për të njëjtin lojtar, për të njëjtin talent. Pak ditë kanë kaluar, kur ky futbollist nuk përbentë asnjë zhurmë, e tashmë është vëmendja kryesore e të gjithëve.

Megjithatë, njerëz si Uzuni tashmë janë mësuar, për të arritur sa më lartë, duhet të punosh në heshtje. Për momentin talenti i Lokomotivës së Zagrebit po ngjit majat më të larta, por duhet të ketë kujdes, në Shqipëri nuk e njohin mëshirën për momentet e vështira. Atje do të jetë sërish po i njëjti lojtar që duhet të luftojë i vetëm, për t’i treguar të gjithëve sesa vlen. Sepse njerëzit në Shqipëri nuk kanë një memorie të fortë, ose ndoshta nuk duan të kenë një të tillë… /K.N – Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top