Ndërsa futemi në muajin e Kombëtares, këtë herë është grumbulluar Shqipëria U-17 e drejtuar nga Elvin Beqiri. Në qytetin e Durrësit ndodhet aktualisht edhe e ardhmja e kuqezinjve, ku gjithmonë vëmendja është e madhe për elementet e reja.
Ajo që vihet re dhe është e gjitha për t’u vlerësuar, mbetet padyshim mënyra sesi ky brezi i ri po rritet në vendin tonë. Nëse më parë dëshira e lojtarëve tanë ishte që një ditë të bëheshin si Kristiano Ronaldo apo Lionel Mesi, tashmë modeli shihet brenda territorit.
Pak ditë më parë do të ishte sulmuesi i të rinjëve të Çelsit, Armando Broja, që do të shprehej se idhulli i tij është ndjekja e rrugës së Armando Sadikut. Ndërsa së fundmi, në një prononcim për “FSHF TV”, Preka shprehet se kërkon gjurmët e Hysajt.
“Kjo është hera e gjashtë që unë thirrem dhe ndihem i lumtur edhe për shiritin e kapitenit. Sigurisht, mbetet përgjegjësi e madhe kur mban shiritin e kapitenit. Aktualisht jam pjesë e Akademia Shkodër dhe ëndërroj të bëhem lojtari i Kombëtares, për të qënë si Hysaj”, u shpreh Marcelino Preka. /Shqiperia.ch/