
“Nuk kam ardhur për pushime në Angli”, Shaqiri e kishte shprehur qartë dhe i shpalli luftë të gjithëve, duke thënë se nuk kishte ardhur te Liverpuli vetëm për të qëndruar në pankinë dhe për t’u stërvitur me këtë ekip të madh, por edhe për të pasur minutat e tij.
Duke parë kualitetet e mëdha që ka kjo skuadër, sigurisht që një gjë e tillë dukej më shumë sesa e vështirë, por këtë herë Klop ia ka plotësuar dëshirën futbollistit shqiptar. Në ndeshjen që klubi i Liverpulit zhvilloi në shtëpi ndaj Southampton, Shaqiri u aktivizua nga minuta e parë.
Nuk i është dashur shumë kohë, pasi në minutën e 10, një goditje e fuqishme e Shaqiri në krahun e majtë dhe topi që përplaset në dy futbollistë kundërshtarë, ka hyrë në mënyrë të çuditshme në rrjetë. Pak rëndësi ka mënyra, Shaqiri feston golin e parë të Liverpulit, megjithëse fati e ka ndihmuar jo pak në këtë rast.
Për të vazhduar sërish në pjesën e parë, e më saktësisht në fundin e saj, ku një ekzekutim perfekt i goditjes së dënimit nga Shaqiri, ka tronditur portën e kundërshtarëve, ndërsa Salah nuk e ka pasur të vështirë të shtyjë topin drejt portës së boshatisur. Liverpuli fiton me rezultatin 3-1 ndaj Southamptonit, ndërsa e sheh Shaqirin në dy prej golave të realizuar si protagonist. /Shqipëria.ch/