
Françesko Tahiraj është një emër për t’u marrë në konsideratë edhe nga trajneri Panuçi, pasi sezoni që po zhvillon futbollisti në fjalë, është vërtet shumë i mirë. Në 18 ndeshje të zhvilluara deri tani në Slloveni, futbollisti shqiptar ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 4 asist.
Të dhëna jashtëzakonisht të mira për këtë lojtar, ndërkohë që Shqipëria vuan për një futbollist që mund të gjejë lirisht golin. Situata aktuale është shumë delikate për Tahirajn, që luhatet mes ekstremeve sa i përket klubit. Futbollisti shqiptar po kërkohet nga disa klube, ku veçohet edhe Hajduku i Splitit në Kroaci.
Mirëpo, duke parë kontratën e 22-vjeçarit që përfundon në qershor, shumë prej ekipeve kërkojnë që ta marrin falas Tahirajn, duke kërkuar të presin deri në qershor. Një gjë e tillë nuk përputhet me planet e Aluminjit, që del duarthatë nga e gjitha kjo, e sheh një talent të rrallë që i largohet nga skuadra, pa përfituar asnjë para tij. Fillimisht është bërë e ditur, se lojtari i formuar te akademia e Juventusit, e ka refuzuar një rinovim të kontratës me klubin e tij aktual. Në kushte të tilla, nuk do të ishte e habitshme që Aluminji të mundohet t’ia vështirësonte karrierën Tahirajt, nëse ky i fundit nuk zgjedh të rinovojë, apo klubet e interesuara nuk heqin dorë nga dëshira për të marrë si dhuratë. /Shqiperia.ch/