
T’i japësh goditjen e fundit një njeriu i cili është i shtrirë në tokë dhe që nuk arrin të marrë dot frymë lehtësisht, këtë mund ta bëj kushdo. Por në të gjitha gjërat e këqija, ka edhe anë të mira, duhet të mësohemi të jemi më pozitiv.
Ilir Daja, ky është emri i trajnerit që në Shqipëri po kryqëzohet kaq shumë në kohët e fundit. Arsyeja? Disa rezultate negative me ekipin e ri, Flamurtarin. Madje situate shkon deri aty, aqsa kampionati e gjithçka e fituar me Skënderbeun në sezonin e shkuar, u atribuohet nga disa persona vetëm korçarëve, duke hequr meritat e Dajës.
Sigurisht, mënyra e largimit të këtij trajnerit nga Skënderbeu, nuk ishte më e mira e mundshme, megjithatë të flasësh për të vërtetën, është sërish një histori tjetër. Karriera e këtij njeriu flet lehtësisht për aftësitë që zotëron, ndërsa Skënderbeu i sezonit të shkuar, ishte magjik jo vetëm në rezultate, por edhe në lojën që ai bënte kundër të gjithë ekipeve.
Një tjetër humbje në ditën e djeshme nga Daja ndaj Partizanit, por një veprim për t’u duartrokitur ishte aktivizimi i sa më shumë futbollistëve të rinjë. Në pjesën e dytë, ai aktivizoi edhe mesfushorin 17-vjeçar, Rapaj. Ndoshta me këtë trajner nuk fiton Flamurtari, por me zgjedhjet e tij ka një fitore shumë herë më të madhe, dhënia e besimit për të rinjtë i sjellë fitoren e afërt Shqipërisë, kjo shkon shumë më shumë. /Shqipëria.ch/