
Një humbje deri diku e pamerituar ishte ajo e djeshmja për Atalantën, pasi u mund me rezultatin 2-0 nga Torino. Pak ndërtuan vendasit për të marrë tre pikë të tilla ndaj një skuadre si Atalanta, që i ka shtuar bukurinë futbollit italian me lojën e saj të hapur.
Berat Gjimshiti ka zhvilluar një tjetër 90 minutësh të mirë ndaj Torinos, duke e ndalur Belotin dhe duke mos e lënë të qetë për asnjë moment. Madje gjatë pjesës së parë, sulmuesi italian mori një goditje nga mbrapa nga Gjimshiti, ndërsa ndodhej në mbrojtjen e skuadrës së tij. Mbrojtësi shqiptar e kishte të qartë detyrën, se duhej të shkonte atje ku ndodhej edhe Beloti për ta neutralizuar atë.
Vlerësimin më të madh futbollisti i Kombëtares, e mori nga “BergamoNews” që i jep notën 7: “Belotin arrin ta ndalojë, madje duke i dhënë edhe një goditje të fortë gjatë ndeshjes. Çfarë duam ne më shumë? Konfirmohet si më i miri në prapavijë”, shkruhet në komentin për Gjimshitin. /Shqiperia.ch/