
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë sot publik tre emrat e nominuar për ALBANIAN SPORTS AMBASSADOR. Një garë sportive ku fituesi do të ketë privilegjin të drejtojë një project social në shërbim të ngritjes së cilësive sportive tek fëmijët e grupmoshave të ndryshme, sportistëve në nevojë apo dekorime për trajnerët. Një gjithëpërfshirje që synon të ndihmojë çdokënd që ka nevojë për një “dorë të ngrohtë”. Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka ka hedhur në këtë garë Lorik Canën, Ervin Muratin dhe Igli Taren.
Tre nga ikonat më të dalluara të kombëtares do të kenë mundësinë të vijonë të ofrojnë kontributin e tyre sportit shqiptar. Fituesi, i cili do shpallet më datë 28 shtator, do i dorëzohet një shumë financiare. Kjo shumë nuk i kalon në mënyrë personale fituesit por projektit social që ai do të drejtojë.
Bordi përkatës i “Albanian Sports Ambassador” ngriti jurinë përkatëse të drejtuar nga Presidenti Duka, së bashku me anëtarët e tjerë: Ish-basketbollistja Mirza Alibegaj, z. Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, znjsh.Luar Arani, Themeluese dhe menaxhere projektesh, z.Roland Bischof, Themelues i Albanian Sports Ambassador dhe German Football Ambassador, si edhe gazetari Elert Yzeiri./Shqipëria.ch/