
Florent Hasani quhet talenti i dalë nga Trepça 89, ndërsa së fundmi po zhvillon paraqitje fantastike me DVTK. Gola nga të gjitha pozicionet e mundshme, ndonjëherë edhe duke e shfrenuar fantazinë. Tashmë siç e pranon edhe vetë, ky sulmues po bëhet gati për të ndërmarrë një aventurë të re.
Ofertë konkretë ka nga kampionati polak, emri i klubit që nuk bëhet ende i ditur, por edhe disa interesime nga ekipe të ndryshme në Europë. Në një intervistë për “Sporti në KTV”, Hasani ka folur edhe për interesimin që Shqipëria ka pasur për ta marrë në Kombëtare, megjithëse zgjedhja e tij është për Kosovën.
“Faktikisht më kanë kontaktuar nga Shqipëria. U thashë se do të takoja njëherë drejtuesit e Kosovës dhe më pas do të vendosja. U ula më nga afër me Shalandin, e nuk kisha më dyshime për zgjedhjen time. Sigurisht që është një ndjenjë më e veçantë për Kosovën, sepse këtu e kam familjen dhe këtu jam rritur si futbollist.
Për mua ka një ofertë konkrete nga Polonia, por edhe nga disa klube të tjera në Europë. Do të shohim nëse do të largohem tani në janar, apo në merkaton e verës. Me Kosovën do të bashkohem duke filluar nga takimet e marsit”, u shpreh Hasani. /Shqiperia.ch/