Shqipëria arriti të fitonte ndaj Izraelit, falë golit të Taulant Xhakës. Një fitore e madhe për kuqezinjtë, të cilët kthejnë qetësinë dhe besimin në kampin e tyre.
Ky triumf merr rendësi të dyfishtë, kur sheh mënyrën sesi erdhi ajo. Një nga momentet më të vështira, që Shqipëria rrezikoi të pësonte, ishte në pjesën e parë. Gjimshiti kthente topin në mënyrë të gabuar mbrapa te Strakosha, por ai top e gjente Zahavin të lirë përballë gardianit shqiptar.
Strakosha do të kryente mrekullinë, ndërsa Gjimshiti tashmë e ka të qartë, duhet ta shpërblejë portierin e Lacios.
“Po, i thashë menjëherë Strakoshës pas ndeshjes që të kam borxh një të qerasur për atë gafë që më evitoi. Përtej batutave, e falënderova shumë që më hoqi atë gabim që shkaktova dhe Strakosha bëri një super ndeshje.
Vjet në ekip kisha Memushaj dhe tani Berishën, gjithmonë me shqiptarë në skuadër. Është mirë kur bashkëkombas në ekip të cilat janë profesionistë në ekipet italiane. Jemi të gjithë krenarë kur shohim një shqiptarë që arrin majat.
Ndonjëherë kemi edhe ngacmime kur rrimë bashkë me Berishën: “Hej albanesi”, na thonë shpeshherë, por gjithmonë në kuadrin e shakave, jo për të keq.
Njeriu që më befasoi ndaj Izraelit ishte Binaku. Të them të drejtën nuk e njihja, por ai ishte shumë i qetë dhe luajti shumë mirë”, ka thënë Gjimshiti për “Panorama Sport”. /Shqipëria.ch/