Gjithçka do të niste mbrëmjen e 20 shtatorit të vitit 2016 në “San Siro”. Milani priste Lazion në javën e pestë të Seria A. Skuadra laciale vinte pa portierin kryesor të saj, Marchettin, në një mënyrë të papritur, pasi italiani do të dëmtohej gjatë nxehmjes.
Katërkendëshi i bardhë do t’i besohej një portier të ri shqiptar. Pas shpatullave mbante numrin “1” po ashtu si i ati vite më parë. Nga ajo mbrëmje tek Lazio kanë ndryshuar shumë gjëra, por në portë mbetet i njejti djalosh i ri, Thomas Strakosha. Ishte vetëm 21 vjeç dhe nga ajo mbrëmje, ndonëse Milani fitoi, në Itali nisën të flasin gjithmonë e më shumë për portierin e talentuar.
Ndaj Milanit çdo ndeshje ka sjellë për pak sekonda te Strakosha ndjesin e njëjtë sikur të ishte duke debutuar sërish. Sot pas dy vitesh Strakosha ka luajtur çdo ndeshje ndaj gjigantëve italianë, ku në katër takime ka pësuar 5 gola. Këtë të dielë Lazio do të luaj ndeshjen e parë të këtij viti me Milanin në “Olimpico”. Strakosha që nga ajo kohë është rritur shumë, madje duke lënë nën hijen e tij edhe portierin e Milanit, Donnarumma, aq shumë i përfolur për talentin e tij./Shqiperia.ch/