You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Speciale/ Sa shumë po teprohet, “heroi” De Biazi që “përplaset” në derën e Shqipërisë

Speciale/ Sa shumë po teprohet, “heroi” De Biazi që “përplaset” në derën e Shqipërisë

“Këtu duan të marrin të gjithë pjesë në festë, por jo në dështim”, kështu do të shprehej trajneri De Biazi, përpara se të largohej nga Shqipëria. E megjithatë, në vendin tonë jemi mësuar rëndomtë që zëri i të huajve dëgjohet shumë herë më tepër, sesa i vetë shqiptarëve, duke supozuar se njerëzit që vijnë nga jashtë kanë një botëkuptim më të gjerë.

Deri diku qëndron, por shpeshherë edhe këta të fundit gabojnë dhe në mënyrë të qëllimshme, për të përfituar sa më shumë në vendet ku ata shkojnë. Rasti më i thjeshtë, De Biazi. Mirënjohja është kriteri i parë që një person, ta meritojë fjalën për t’u quajtur si një qënie njerëzore. Të gjithë shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës këtij njeriu, për arritjen e suksesit. Mirëpo, situata e De Biazit duket se është tepruar pak si tepër këto kohë.

Disa humbje të Shqipërisë dhe një krizë e jona, që të gjithë të “përplasen” sërish në të njëjtin emër, tek ai që na dërgoi në “Euro 2016”. Pikërisht koha për t’u ndalur, si shkuam deri këtu? Historinë të gjithë e dimë dhe të gjithë e kanë pranuar, ishte një kombinim perfekt i shumë faktorëve, që dëshironin pjesëmarrjen e “shqiponjave” në Francë.

E sa mirë që një gjë e tillë ndodhi, por do të kërkojë një kohë shumë të madhe, që e njëjta situatë të përsëritet sërish. Në kushte të tilla, teksa Panuçi dhe Shqipëria vuan, De Biazi shfaqet herë pas here në vendin tonë për të krijuar disa “fantazma” rikthimi te tifozët. Këta të fundit sigurisht që e duan, pasi me të arritën historinë, por një kthim mbrapa me italianin trajner, do të ishte thjeshtë një hap mbrapa.

“De Biazi? Ndoshta u shqiptarizua edhe ai vetë pak si shpejtë. Në fitore e merrte vetë shpeshherë meritën, ndërsa kur humbiste ia kishin fajin lojtarët. Për mua, trajneri duhet të jetë një me skuadrën. Në kohën time në Gjermani, unë shihja teknikë që kishin një tjetër natyrë nga këta që po flasim. Ata kur fitonin ia linin meritat vetëm skuadrës, ndërsa kur humbisnin, e merrnin të gjithë përgjegjësinë mbi vete”, do të shprehej përpara disa kohësh Altin Rraklli për “Shqiperia.ch”.

E këto shfaqje të shumta të De Biazit në Shqipëri, në emisione të ndryshme dhe në gazeta, për të flirtuar edhe me një mundësi në marrjen e Kombëtares, nuk shfaq asgjë më shumë sesa një dëshpërim të vetë trajnerit për gjendjen ku është, sesa për gjendjen e vështirë të kuqezinjve. Pas largimit nga vendi ynë, një aventurë që u mbyll për vetëm 2 muaj ishte ajo që e priti De Biazin në Spanjë me Alaveshin.

Në gjithë këtë kohë të kaluar, nuk kemi pasur më të bëjmë me trajneri Gianni, por me analistin “Gani”. Në rregull nëse De Biazi rikthehej te Shqipëria, por pyetja është e thjeshtë: “A mund t’i bëjmë sërish 1000 faktorë së bashku për të arritur suksesin me të”?

Vështirë duket të arrihet sepse mrekullitë vetëm njëherë e kanë në natyrë të ndodhin, prandaj është një “dashuri” në distancë dhe e pamundur, që në momentin që mendohet diçka e tillë. Ajo e cila duhet të evitohet ndoshta nga të gjithë, është nxjerrja e një njeriu të vetëm si heroi i një suksesi si ai i “Euro 2016”, pasi në të kundërt, trajneri në fjalë nuk mund të gjente kohën për të ardhur sërish në vendin tonë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top