You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Speciale/ Ku po shkohet? Flamuri kuqezi i mohuar dhe ndjenja e urrejtjes si të ishte…Serbia!

Speciale/ Ku po shkohet? Flamuri kuqezi i mohuar dhe ndjenja e urrejtjes si të ishte…Serbia!

Shumë dëshmorë kanë dhënë jetën e tyre prej kohësh, që të gjithë shqiptarët e nga të gjitha trevat, të përfaqësohen në flamurin tonë të vetëm, kuqezi.

E megjithatë politika e faktorë të ndryshëm, kanë ndikuar që Shqipëria e vërtetë të copëtohet në shumë toka, për t’u ndarë në një farë mënyre nga njëra-tjetra. Sigurisht, vetëm në kufijë zyrtarë, pasi gjithçka tjetër varet prej nesh.

Kështu, futbolli mbetej një pikë shumë e rëndësishme ku shqiptarët bëheshin së bashku, për t’i treguar sadopak fqinjëve sesa të shumtë dhe të bashkuar ishim, për të arritur qëllimet tona. Që me lindjen e Kosovës si një përfaqësuese më vete, një farë ndjenje jo e mirë të vinte menjëherë, pasi ishte një vendim që shkonte gjithmonë e më shumë larg frymës së bashkimit të trevave, pse jo edhe në kufijë zyrtarë në të ardhmen.

Lorik Cana ishte një prej figurave që kishte ndikuar hershëm për të pasur një Kombëtare, por në një moment, kur e pa veten të pafuqishëm dhe si rrallëherë, e pranoi: “Në rregull. Nuk kemi se çfarë të bëjmë, Kosova do të ketë përfaqësuesen e saj. Por vetëm që të njihet sa më shumë nga shtetet e tjera, që të përfaqësohet me simbolet e saja. Më pas do të kemi kombëtaren shqiptare për pretendimet më të larta”, do të ishin zërat e asokohe, që ndiqeshin edhe nga Cana.

Pra, nuk do të kishim asnjë rivalitet mes Shqipërisë dhe Kosovës, një gjë totalisht absurde që të ndodhte, sa i përket lojtarëve që do të kalonin sa andej e këndej. E në fakt, vijmë në situata të tilla, kur situatat absurde bëhen realitet.

Gazetarët? Janë të parët që si “shushunja” po pijnë dhe injektojnë gjakun e gabuar tek shikuesit. Në mënyrë injorante me plotë kuptimin e fjalës, disa njerëz që kanë për interes të sulmojnë Panuçin dhe Shqipërinë për rezultate të dobëta, kapen fortë pas Kosovës. “Shihni, na e kaluan”, shprehen, ndërsa cipa është e fundit që ka ngelur në fytyrën e tyre.

Pikësëpari, mes vëllezërve nuk mund të ketë garë. E dyta, e nëse këto mendje të ndritura kërkojnë një garë të supozuar, atëherë duhet ta bëjnë në kushte të barabarta. Dardanët janë duke u forcuar gjithmonë e më shumë, por për të arritur të një sukses i mundshëm do të duhen shumë vite eksperiencë të patjetërsueshme. Pra, për një fazë europiani apo botërori, duhet të ketë shumë vite punë të tjera, ndërsa fitorja ndaj Ishujve Faroe apo Maltës thjeshtë mund të krijojë disa iluzione çasti.

E në kryesimin e Shalandit kjo u duk shumë e qartë, në transfertë Ishujt Faroe e dominuan takimin dhe arritën t’i merrnin një pikë Kosovës. E për t’u rikthyer në temën tonë, situata absurde është afruar deri në atë pikë, sa një grup njerëz të konsiderueshëm, ndoshta vërtet nuk janë mirë nga mendët e kokës, do të thuhej në mënyrë më popullore.

“E tepruan. Çfarë po ndodh këtu?”, ishte pak a shumë kryefjala e shqiptarit të Kosovës, Mirlind Dakut, talentit që sapo u shpreh se nëse Fadil Vokrri do të ishte gjallë do të ndryshonin shumë gjëra, menjëherë nisën sulmet e ashpra kundrejt tij: “Do të vazhdosh edhe ti si Ismajli për andej”?

Për ku? Pyetja duhet të jetë më e saktë në vetvete. Por çfarë bëri Ismajli? Mëkat jo, kjo është e sigurtë. U largua nga të rinjtë e Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë së madhe. Përderisa kemi arritur në këtë pikë që quajmë mëkat kalime të tilla, nga një numër i konsiderueshëm njerëzisht dhe vendosim në presion psikologjik të madh këta futbollistë, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon.

Për këtë situatë duhet të gjendet një zgjidhje, përpara se të jetë shumë vonë. Thjeshtë mendojeni, ku ishim dhe ku po shkojmë. Pikërisht, ku po shkojmë? Kjo ngelet enigma, shenjat nuk duken shumë të mira. E megjithatë, kjo nuk do të thotë që këtu flitet vetëm për shqiptaraët e Kosovës. Edhe ata të Shqipërisë zyrtare janë duke bërë shumë gabime, që shkojnë më shumë në frymën e përçarjes dhe kundër bashkimit.

Gjëja më primare që duhet bërë në të gjithë këtë, është t’i lëmë lojtarët e qetë për të vendosur të ardhmen e tyre. Nuk ka tradhëti, nëse dikush largohet nga Shqipëria për te Kosova dhe anasjelltas. Nëse mendojmë që jemi vend i vogël që prodhojmë talente, atëherë është konstatimi i drejtë. Por nëse mendojmë se ne jemi Brazili dhe kemi pafundësisht lojtarë të kalibrit të lartë, gabojmë, rëndë madje.

E thënë në fjalë më të thjeshta, jemi shumë të vegjël përpara vështrimit të botës, për t’u shitur si të mëdhenj. Të paktën a mund të jemi të bashkuar dhe të mos hipnotizohemi nga fjalët e askujt? Kjo është për të mirën tonë, ofendimet mes shqiptarëve gjithmonë do të dërgojnë ujë në mullirin e fqinjëve tanë që na e duan pak të mirën, kjo është e sigurtë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top