
Një zgjedhje e gabuar mund të quhet ajo e Skocisë për miqësoren e djeshme, teksa ka humbur me rezultatin 0-4 ndaj Belgjikës. Ky takim do të shërbente si një parapërgatitje për Shqipërinë, megjithëse mes të dy kundërshtarëve të Skocisë, nuk ka shumë gjëra të ngjashme.
Kjo ka bërë që mediat skoceze të sulmojnë gjithë drejtuesit, për një zgjedhje dhe menaxhim të gabuar, sa i përket kundërshtarit të zgjedhur në miqësore. Gjendja fizike dhe psikologjike e futbollistëve pas asaj humbje të thellë ndaj belgëve, mund të ndikojë për takimin ndaj kuqezinjve.
Në përfundimin e ndeshjes, trajneri McLeish ka kërkuar që të gjitha përgjegjësitë t’i faturohen atij, për të mos rënduar më shumë lojtarët.
“Nëse dikush prej jush kërkon fajtorin, ai jam unë. Lërini të qetë të tjerët. Nuk dua t’i lë lojtarët që të qëndrojnë të shtrirë në fushën e lojës. Nëse e bëjmë këtë, atëherë kur kemi për të ndryshuar ndonjëherë?
Ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë jetike për ne. Kjo është ndeshja e rëndësishme. Për momentin jemi poshtë në gjëndjen e moralit, por nuk jemi jashtë. Nga nesër do të nisim përgatitjet për Shqipërinë”, ka thënë McLeish. /Shqipëria.ch/