
Dështimi i Eros Grezdës te ekipi i Rangersit në sezonin që lamë pas, ka bërë që skocezët të analizojnë paksa më tepër edhe transferimin e lojtarit shqiptar të para disa kohëve, kur arriti në Skoci. Faktikisht kjo situatë te Rangersi nuk po përjetohet vetëm me Grezdën, por edhe me Borna Barisiç.
Të dy këta futbollistë kanë thuajse të njëjtën karrierë, ndërsa kanë luajtur së bashku te Lokomotiva, Osijeku dhe së fundmi janë te Rangersi. Historia ka qënë gjithmonë e njëjtë, fillimisht transferohej Barisiç dhe vetëm pas pak kohësh i bashkangjitej Grezda.
“Ibroxnoise.co” shkruan se të dy këta lojtarë kanë të njëjtin menaxher, Ives Cakarun. Faktikisht ata drejtohet nga agjencia “Argentum Sport”, por në veçanti janë në përgjegjësinë e Cakarun. “A është rastësi se dy dështimet e mëdha që na erdhën nga Kroacia te Rangersi drejtohen nga i njëjti menaxher?
Këtu ngrihen disa pyetje të mëdha rreth asaj sesi Rangersi nënshkroi me dy lojtarët në fjalë, që i dhanë pak klubit në varësi me shpenzimet që u bën për ta”, shkruan media skoceze. /Shqiperia.ch/