
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë sa i përket interesimit të klubit francez Dijon për sulmuesin shqiptar Eros Grezda. Francezët kanë ndërruar objektiv, duke i hedhur sytë nga futbollisti që luan në “Premier League” me ekipin e Leicester-it, Foussane Diabate. Një transferim i sulmuesit francez në atdhe do të mbyllte mundësinë e largimit të Grezdës nga ekipi i Rangers për një aventurë të re drejt Francës.
Futbollisti shqiptar nuk ka arritur të përshtatej me futbollin skocez, madje së fundmi ekipi e ka dërguar të luajë me të rinjtë. Një shenjë e qartë kjo se sulmuesi duhet të gjejë patjetër një klub të ri, pasi te Rangers nuk ka një vend për të. Mundësitë për një largim të mundshëm sa vijnë e zvogëlohen duke qenë se jemi në ditët e fundit të merkatos dhe Dijon është e vetmja pistë për shqiptarin. Në rast se Dijon arrin akordin me Diabate, atëherë Grezda do të vazhdojë të luajë me ekipin e dytë të Rangers-it deri në largimin e tij nga skuadra, pasi ky ka qenë vendimi i vetë trajnerit Gerard./Shqiperia.ch/