
Etrit Berisha nuk do të luajë as këtë javë për Atalantën në kampionatin italian, ashtu siç ndodhi edhe në takimin ndaj Fiorentinës. Arsyeja është e njëjta, trajneri Gasperini kërkon aktivizimin e portierit të ri, Golini.
Një gjë të tillë e bëri edhe në fillimin e sezonit, por më pas do të ishte Berisha që do të fitonte terren. Në konferencën përpara ndeshjes me Sampdorian, Gasperini e ka pohuar edhe njëherë vendimin e tij të çuditshëm, për t’i ndërruar portierët vazhdimisht. Kjo padyshim që është një situatë e pazakontë për gardianin shqiptar, që nuk kishte përfunduar ndonjëherë në stol më parë, për shkak të zemërgjerësisë së trajnerit, që nuk do të shoh si zgjidhje të dytë asnjë prej dy lojtarëve.
“Golini do të luajë nesër(sot). Unë asnjëherë nuk i kam ndërruar portierët nga ndeshja në ndeshje, por në një kohë të caktuar. U kam dhënë atyre mjaftueshëm kohë, për të treguar vlerat e tyre. Gollini ishte mirë me Fiorentinën, e kërkon edhe një shans.
Mendova se ishte mjaftueshëm deri tani për Berishën dhe ishte momenti për të parë rritjen e Golinit. Berisha është më i qëndrueshëm në lojën e tij për shkak të moshës që ka, ndërsa Golini është më i ri. Por nuk është e thënë që zgjedhjet e mia aktuale, të qëndrojnë kështu deri në fund të sezonit”, u shpreh Gasperini. /Shqiperia.ch/