
Një sfidë emocionuese dhe drithëruese në “San Siro”, atje ku Lacio dhe Inter janë përballur në Kupën e Italisë. Takimi për 90 minuta ka përfunduar pa gola, ndërsa mrekullinë e parë gardiani shqiptar e bëri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Politano i vetëm përballë Strakoshës, nuk ka arritur të dërgojë topin në rrjetë.
Në 30 minutat e shtesës janë shënuar 2 gola, ndërsa fillimisht ishte Imobile ai që do të gjente rrjetën. Kur takimi u mendua një histori e mbyllur, do të ishte një penallti ajo që do ta dërgonte këtë takim, në ruletën ruse. Fillimisht Ikardi do e mposhte Strakoshën, megjithëse ky i fundit e kuptoi krahun për të mos e dërguar ndeshjen deri te penalltitë.
Mallkimi i këtyre të fundit për Strakoshën do të thyhej ndaj Interit, pasi priti dy të tilla. Martinez Lautaro ishte i pari që do të gabonte ndaj shqiptarit, e më pas Naingolan do të kishte të njëjtin fat. Përpara këtij takimi, Strakosha kishte pësuar 38 gola në 40 penallti. /Shqiperia.ch/