
“Hej, hej kuqezi, është gjithë Shqipëria. Këtu është Kosova dhe Çamëria”. Kjo ishte kënga që talenti i Milanit, Ismet Sinani, po dëgjonte në makinën e tij gjatë ditës së djeshme dhe e shpërndau për pak kohë rrjetet sociale.
Sigurisht, patriotizmi i flaktë me fjalë në ditët e sotme, është një gjë që haset rëndomtë te vetë ne, shqiptarët. Por veprat e futbollistit në fjalë, janë treguar prej kohësh. Megjithëse vetëm 19-vjeç, lojtari që tashmë është huazuar te Juve Stabia, u kthye në kryeqendrën e mediave shqiptare. Ai zgjodhi që t’i mos përgjigjej për asnjë moment të vetëm telefonatës së Alban Bushit, pasi ishte i inatosur me Shqipërinë për shkak të mos dërgimit të ftesës në momentin që vetë futbollisti në fjalë dëshironte.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sjelljen e Ismet Sinanit, pasi është ende i vogël në moshë, por edhe për familjen e tij dhe shërben si një tregues i qartë për shumë të tjerë. Si për ta dreqosur më keq gjendjen, sulmuesi i Juve Stabia hedh edhe këngët patriotike, që kurrsesi nuk mund t’i rrijnë përshtat përsa kohë nuk donte të dëgjonte asgjë rreth Shqipërisë, që dëgjonte me aq krenari në makinë, por nuk e dëshironte kurrsesi si Kombëtare.
Gjithsesi vetëm pak minuta ka zgjatur edhe shpërndarja e kësaj video në “Instagram” nga lojtari, pasi më pas është fshirë. Nuk dihet nëse kjo është një tjetër pendesë e Sinanit ashtu siç jemi mësuar me të, apo mund të ketë ardhur pas disa mesazheve revoltuese nga tifozët shqiptarë, që kurrsesi nuk mund të pranojnë një shtirje të tillë. Përsa kohë patriotizmi tregohet me shqiponjë dhe këngë, por aspak me vepra, nuk do të jemi mirë… /Shqiperia.ch/