Ivan Balliu është futbollisti i vetëm që i përket Shqipërisë, i rritur nga akademia e Barcelonës. Aktualisht futbollisti kuqezi luan me Metzin në Francë, ekip ky që ia ka mohuar dy herë Kombëtaren së fundmi.
Arsyet kanë qënë nga më qesharaket, ndërsa ajo e fundit ishte vonesa me një ditë, për ftesën që duhej të mbërrinte në skuadër. Me kërshëri të madhe pritet të shihet nëse ky futbollist do i bashkohet Shqipërisë në takimet e marsit, ndërsa një tjetër çështje, është edhe ajo e largimit nga skuadra.
Balliu do të fliste në lidhje me një lëvizje të mundshme, duke parë faktin që kontrata e tij skadon në fundin e këtij sezoni. Megjithatë, “topi” kalohet te klubi, që duhet të vendos fatin e lojtarit.
“Përpara se unë të vendos atë që dua, le të shohim pak atë që dëshiron klubi, duke marrë parasysh edhe respektin mbi 4 vitet që unë kam shpenzuar këtu. Jam i hapur për gjithçka. E vërtetë që është më e lehtë për një ekip tjetër që të marrë një lojtarë të lirë. Por unë dua ta respektoj Metzin, sepse jam ndierë mirë këtu. Kam 4 vite, jam ambientuar me qytetin, gruaja ime gjithashtu, ndërsa kemi edhe një fëmijë”, u shpreh Balliu. /Shqiperia.ch/