
Aventura dhe debutimi i trajnerit Herzog nuk ishte më i miri i mundshmi në stolin e Izraelit, teksa humbi me rezultatin 1-0 në “Elbasan Arena”.
Fryma dhe skema e tij e re që solli në Kombëtaren e Izraelit, nuk rezultoi ajo e duhura. Prapavija me tre mbrojtësa ishte gjithmonë favorizuese për kundërshtarin në aksionet sulmuese, ndërsa dobësia në mbrojtjen e Izraelit ishte evidente.
Kjo ka bërë që të nisin edhe përçarjet brenda grupit të lojtarëve, ndërsa këtë të fundit e mësojnë mediat vendase. Kështu, sipas asaj që raporton “One.co”, njëri prej futbollistëve e ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për modelin që ofron trajneri Herzog.
“Nëse kërkon të luash me 3 në mbrojtje, atëherë kjo do të thotë se ti ke shumë kohë që punon me skuadrën. Kjo kërkon që t’i të kesh të paktën tre muaj që punon me skuadrën dhe jo vetëm tre ditë”, ka thënë njëri prej lojtarëve të Izraelit sipas “One.co”, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. /Shqipëria.ch/