You are here
Home > Kombëtarja > Shqipëria si kurrë më parë, arsyeja se përse ka shpresë të madhe edhe ndaj Francës

Shqipëria si kurrë më parë, arsyeja se përse ka shpresë të madhe edhe ndaj Francës

Shqipëria do të luajë dy takime të rëndësishme në eliminatoret e Europianit, teksa fillimisht do të përballet ndaj Francës. Ndaj kampionëve të botës është më shumë se e vështirë që të dilet me pikë, por optimizmi dhe shanset mbeten gjithsesi.

Fillimisht për shkakun se te kundërshtari ka shumë mungesa, aqsa mund të thuhet se janë me gjysmën e ekipit dhe pa yjet e tyre. Dëmtimet e Laportes dhe Pogba, e dërguan në 9 numrin e mungesave totale që nuk do të jenë të gatshëm ndaj kuqezinjëve.

Por ndalemi pak te Kombëtarja e Shqipërisë. Nëse shohim me kujdes listën tonë, rezulton se futbollistët që drejtohen nga Reja janë si kurrë më parë në vitet e fundit. Ose më saktësisht, gjenden si në periudhën e artë kur u kualifikuam me De Biazin në Europianin e Francës. Thuajse të gjithë futbollistët tanë po luajnë në ekipet e tyre duke qënë më të mirët, ndërsa kjo kishte një kohë të gjatë që nuk ndodhte.

Etrit Berisha- Titullar i padiskutueshëm në Seria A. Më i miri i ekipit të SPAL-it dhe një nga portierët më të mirë të këtyre javëve në elitën e futbollit italian. Fantastik me pritjet.

Alban Hoxha- Luan në çdo ndeshje te Partizani, megjithëse te Kombëtarja do të jetë thjesht për të plotësuar listën duke parë dy portierët e tjerë.

Thomas Strakosha- Vazhdon të mbajë një formë të jashtëzakonshme te Lacio. Nuk ka diskutim për minutat e plota në ekipin e Inzagit.

Berat Gjimshiti- Pavarësisht emrave që sjell Atalanta në merkato dhe në prapavijë, Gjimshiti ka luajtur gjithmonë si titullar. Në nivelin e duhur dhe pak gabime në këtë sezon  që sapo ka nisur.

Elseid Hysaj- Shumë pak minuta, ose më saktësisht vetëm 6 të tilla ndaj Romës. Janë realisht pak për t’u përmendur, por gjithsesi mbetet futbollisti që bën diferencën te Shqipëria.

Ardian Ismajli- I padiskututeshëm te Hajduku i Splitit dhe gjithmonë në formacionin më të mirë të javës në Kroaci.

Egzon Binaku- Vjen nga ekipi i Norrkopings pas 7 ndeshjeve të zhvilluara dhe si zëvendësues i Naser Alijit, që këtë herë nuk është grumbulluar për shkak se ka qënë pa skuadër. Firmosi së fundmi në Hungari.

Marash Kumbulla- Zbulimi i trajnerit të Veronës që i ka besuar gjithmonë 90 minuta në Seria A, duke e marrë nga të rinjtë.

Frederik Veseli- Titullar dhe luan gjithmonë 90 minuta te Empoli, megjithëse nuk flitet për nivelet më të larta.

Enea Mihaj- Asnjë minutë në ndeshjet zyrtare me PAOK, por ka luajtur në takimet parapërgatitore me kampionët e Greqisë.

Kastriot Dërmaku- Është në pankinën e Parmës. Ka luajtur disa minuta në miqësoret përgatitore ashtu si edhe Mihaj.

Mërgim Mavraj- Lider në mbrojtjen e Greuther Furth, nuk diskutohet minutazhi i plotë.

Amir Abrashi- Zhgënjimi për këtë nisje sezoni, ka përfunduar në stolin e Freiburgut.

Keidi Bare- E ka nisur me marrshin e pestë. Jo vetëm që luan 90 minuta në çdo ndeshje, por edhe më i miri i Malagas.

Ledian Memushaj- Vitet kalojnë, por për mesfushorin vlonjat mbeten një numër. Luan si titullar te Peskara dhe është vendimtar.

Klaus Gjasula- “Luftëtari” i ri u gjen në “Bundesligë”. Një ftesë mëse e merituar ndërsa po luan si titullar te Paderborni në çdo takim.

Kristi Qose- E vazhdon sezonin e ri në mënyrën e vjetër te Ruzemberok. Ka minuta të plota dhe luan gjithmonë si titullar.

Taulant Xhaka- Në momente të rralla mund të përfundojë në pankinë. Për Bazelin mbetet një futbollist i rëndësishëm dhe për më tepër është zevëndëskapiten.

Ylber Ramadani- Me skuadrën e Vejles është aktivizuar si titullar në ligën e parë të Danimarkës.

Ermir Lenjani- Vjen pas një super goli të realizuar me parabël dhe sprint të frikshëm. Një nga më të mirët e Sionit.

Myrto Uzuni- Një nga lojtarët më të mirë të Lokomotivës së Zagrebit. I padiskutueshëm edhe Uzuni.

Bekim Balaj- Vjen pas dopietës me Sturmin në Austri. Gëzon formë fantastike.

Sokol Çikalleshi- Pikëpyetja e madhe, ku gjendet Sokol Cikalleshi? Te Akhisaspori nuk është grumbulluar në asnjë ndeshje gjatë këtij kampionati. Nëse vjen qetësisht te Kombëtarja, ka dy rrugë: Akhisaspori e ka rregulluar problemin me të dhe do ta thërras në të ardhmen ose ka ardhur ndërprerja e kontratës dhe mund të firmosë kontratë të re në çdo kohë.

Odise Roshi- Mes stolit dhe vendit të titullarit, por Roshi fiton gjithmonë e më shumë vend te Akhmati.

Rey Manaj- Më shumë gjendet në stolin e Albacetes. Trajneri e provon zakonisht në pjesën e dytë.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top