Shqipëria do të përballet ndaj Andorrës në mbrëmjen e nesërme, e vlefshme kjo për kualifikueset e Europianit. Kuqezinjtë janë të detyruar për të marrë një fitore, që kthen optimimizmin dhe shanset e kualifikimit, për të bërë sërish mrekullinë si në Francë.
Por cili do të jetë formacioni i ri i Shqipërisë ndaj Andorrës? Për herë të parë pa Panuçin, kuqezinjtë do të drejtohen nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema. Në orët e fundit janë postuar shumë formacione të mundshme për mënyrën sesi do të paraqitet Shqipëria.
“Shqiperia.ch” raporton se mes shumë skemave të përmendura, ajo që përfshin Balajn dhe Sadiku në një formacion është e pamundur që të ndodh. Të dy lojtarët janë provuar dhe nuk shkonin me kombinime gjatë stërvitjes së sotme që nisi në orën 19:00.
Në portë është i padiskutueshëm Berisha, që do të ketë përpara syve të tij të njëjtët mbrojtës. Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli do të përbëjnë prapavijën e Kombëtares. Në mesfushë ka vend për një mëdyshje mes Memushajt dhe Bashës, ndërsa Uzuni, Xhaka, Abrashi dhe Grezda priten të jenë nga minuta e parë. Ndërsa kur flitet për majën e sulmit, ndryshe nga më parë me Turqinë, pritet që të luajë Armando Sadiku. /Shqiperia.ch/