
Kemal Ademi është një nga sulmuesit që ka bërë më tepër jehonë deri tani te Bazeli. Me fat të madh ka marrë vendin e titullarit dhe besimin e ka shpërblyer te trajneri. Kontakte ka pasur edhe nga Shqipëria apo Kosova për t’u marrë në ndeshjet kualifikuese, por menaxheri i lojtarit u shpreh se kërkohej Zvicra.
Tashmë është vetë sulmuesi që në një intervistë për “BZ Basel”, prek këtë temë. Teksa gazetari e pyet për mundësitë e zgjedhjes së Kombëtareve, është Shqipëria ajo që përjashtohet. “Janë tre mundësi për të shkuar te Gjermania, Kosova apo Zvicra. Menaxheri im është në kontakt me to. Por unë nuk kam asnjë stres dhe jam i përqendruar te Bazeli. Do të vijë gjithçka me kohën”, ka thënë Ademi.